Wednesday, January 18, 2012

Zemra jote

Nga Majlinda Bashllari


Zemra jote - domate e pjekur në hije.
Rubin me rremba të çrregullt smeraldi.
Jo aq e bërë sa të bjerë vetvetiu.

Bën sikur më harron, bëj sikur nuk të shoh
me kokrra të tjera mbushet shporta e kashtës
më pak të kuqe, më pak të ëmbla,
as frut, as zarzavate, pjeshkë ujku ndoshta,
a mollë ari të hidhura.

Zemra jote,
kaq e lehtë për ta ndier në duar,
kaq e rëndë për ta mbajtur, kaq e pamundur
për ta këputur, për ta vënë në krye të shportës.

Nuk guxoj t'i rrëfej tehun e thikës. Atëherë si,
si të të mbaj përherë kështu, rubin të kuq
me damarë të fortë smeraldi
pa u zbutur, pa u mpakur, pa ndjerë një ditë
erën e padurueshme të kalbësirës…

0 comments:

Google