Tuesday, January 24, 2012

Shpirtra të çalë

Nga Majlinda Bashllari


Kur mbetën vetëm, zëdridhur, me fjalë si në jerm,
Mira iu lut ta prekte. S’e dinte ç’shije kish;
me njërën këmbë më të shkurter se tjetrën
pat qenë e padukshme për burrat.
Shpejt bëhej dyzet dhe asnjë fije më e bukur
se në kohërat që shkuan. Kush tjetër si miku i të vëllait
do ta trajtonte siç duhej?
Burri i qe shmangur gjithnjë, por tani duke e parë drejt
e në sytë e përhumbur, tha: Vajzë,
të kam si motër, kjo do të na vrasë të dyve.
Askush s’do ta dijë,
mërmëriti zemërthyer ajo
me sytë ngulur mbi këmbën e sëmurë.
Ai e mori butësisht në krahë, ngadalë
e puthi në qafën e bardhë, duke menduar paratë
që kish marrë hua tek i vëllai...
Dikur ajo shpërtheu në lotë dhe ai s’mund të thosh
ç’gjë ish më e shëmtuar atë çast:
fytyra e saj a lëvizjet e tij. Por tek i rëndonte
mbi kofshët e tendosura shpejt i harroi të gjitha:
të shoqen, borxhin, humbjet.

Vonë, e shtrirë në shtrat, Mira qau sërish
pa mundur prej mendje të zhbënte
shpinën e tij, tek largohej çaluar
mbi dy këmbët e shëndosha…

0 comments:

Google