Monday, January 9, 2012

S’do lëmë të na pushtojë ngashnjimi

Nga Yehuda Amichai


Dhe s’do lëmë të na pushtojë ngashnjimi. Sepse një përkthyes
nuk duhet të ngashnjehet. Qetësisht, do përcjellim
fjalët nga burri tek djali, nga gjuha e njërit
tek buzët e të tjerëve, ashtu si pa ditur,
siç një baba përcjell
tiparet e fytyrës së atit të vdekur
tek biri, dhe vetë ai nuk është asnjë prej tyre. Thjesht një ndërmjetës.

Do kujtojmë gjërat që patëm ndër duar
dhe i humbëm.
Çfarë qenë dhe s’qenë tonat kurrë.

Ne s'duhet të mbërthehemi prej ngashnjimit.
U shuan thirrjet dhe ata që thirren. E dashura
më la disa fjalë para se të shkonte
t’i thosha në vend të saj.

Dhe çfarë vetëm neve na u tha, të mos ua themi te tjerëve.
Kurrë. Veç heshtje si shenjë pranimi. Nuk duhet
të ngashnjehemi, pra, nuk duhet.


Përshtati në shqip: Majlinda Bashllari

0 comments:

Google