Anëtarët e Akademisë Suedeze janë vënë shpesh herë në shënjeshtër të kritikës për preferencat e tyre filoevropiane. Veçse këto të shtëna nuk arrijnë në veshët e atyre që përzgjedhin fituesit e Nobelit, të cilët edhe sivjet kurrorëzuan në fronin e letrave pikërisht një evropian…
Tomas Transtromer bëhet i teti evropian, fitues i Çmimit më të madh në letërsinë e përbotshme, në dhjetëvjeçarin e fundit, pas gjermanolindores Herta Miler (2009), frëngut Zhan-Mari Gustav Le Klezo (2008), britanikëve Doris Lesing (2007) dhe Harold Pinder (2005), polakes Elfride Jelinek (2004), hungarezit Imre Kertesh (2002) dhe shkrimtarit tjetër britanik V. S. Naipol (2001), me kombësi nga Trinidadi.
Ja si e përligj Akademia Suedeze: “I akordohet Çmimi, sepse, mes pasazheve të ngjeshura dhe të kthjellta poetike, na jep një përqasje të ripërtërirë dhe të freskët të realitetit”.
Përveç nderimit moral, Transtromeri do të vëjë në llogarinë e tij bankare 10,5 milionë korona suedeze, të barazvlershme me rreth 1,5 milionë dollarë.
Piter Eglund, sekretari i Akademisë Mbretërore, përshkroi në televizionin suedez çastet e prekëse, kur 80 vjeçari Transtromer u njoftua për nderin e madh: “ Ishte i jashtëzakonshëm. U ul të shlodhej dhe vuri muzikë. Pastaj u kthe dhe na tha: “Jam shumë mirë!”
***
Prej zezësirës së dimrit
shfaqet një drithmë
nga organe të fshehta. Është si të qëndrosh
poshtë zhegut të madh të verës,
me gumëzhimën e dhjetë mijë flatra insektesh
përsipër kokës.
(Prej vjershës “Mbizotëron qetësi mbi brazdën e valuar”)
Erdhi në jetë në Stokholm, më 1931. Studimet e mesme i kreu tek Södra Latin School të vendlindjes dhe u diplomua për psikologji në universitetin e kryeqytetit (1956), me studime pasuniversitare në histori, teologji dhe letërsi. Në vijim ushtroi profesionin e psikologut, nëpër qendrat e riedukimit për të mitur dhe të rinj.
Interesimi i tij për poezinë u shfaq qysh në Lice, bashkë me pasionin që kishte për muzikën, veçanërisht për pianon. Vëllimi i tij i parë poetik “17 poezi” qarkulloi më 1954, kur akoma studionte. Në përmbledhjet e tjera poetike që botoi, nga mesi i viteve’50-të, gjer aty nga fundi i dhjetëvjeçarit të ‘70-tës, u frymëzua nga udhëtimet në Ballkan, në Spanjë dhe Afrikë, si edhe u trajtoi tema të historisë së trazuar balltike, motive të cilat i paraqiti në një mënyrë krejt origjinale: si një kundërvënie poetike midis tokës dhe detit.
Midis vargjeve të Tomas Transtromer-it mpleksen ëmbël dhe natyrshëm kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, veçanërisht figura e gjyshit të tij, që ishte detar dhe, siç duket, e stigmatizoi atë vetë, por edhe poezinë që shkroi. Dashuria për pianon, e cila e shoqëroi gjatë tërë jetës, i fali poezisë së tij ritmet muzikore, harmoninë dhe ngjyrat e tingujve. Nga ana tjetër, profesioni i psikologut, që ushtroi në shumë vende të Suedisë, në qendrat e riedukimit të të rinjve, ai udhëtim intim nëpër udhët e vështira të shpirtit njerëzor, ia pasuroi poezinë me një frymë shpresëdhënëse, me optimizmin se jeta, ndonëse shpesh herë e ftohtë, si fjordet, e meritojnë diellin. Ky është edhe misioni sublim i poezisë së Transtromer-it.
***
“Pashë ëndërr sikur kisha vizatuar një tastiere pianoje,
mbi tryezën e kuzhinës.
Bëja muzikë me të, pa asnjë tingull.
Fqinjët u avitën të dëgjonin”.
1990-ta ishte një vit që stigmatizoi jetën e tij të mëtejshme. Pësoi hemoragji celebrale, që i shkaktoi një paralizë të pjesshme trupore, si edhe humbjen e të folurit. Ndërkaq, kjo nuk e pengoi të shkruajë (s’mund të bënte dhe ndryshe, gjersa frymëmerrte) dhe të botonte vëllimet e tij më të suksesshme.
“The Great Enigma”, më 2004, e cila u përkthye dy vjet më vonë në anglisht, pati sukses botëror. Akoma nuk kanë pushuar drithirambet për këtë libër.
Përmbledhja tjetër e kësaj kohe, “Gondola mortore”, i ka kaluar të 30.000 kopjet, nga dita e botimit (1996). Më shumë se gjysma e vjershave të këtij libri janë shkruajtur pas aventurës së tij me shëndetin. Në një shfaqje të tanishme në Londër, deklamonin poezi të tij, ndërsa vetë poeti - si muzikant amator që është - luante në piano melodira, me dorën e paparalizuar.
Njëra nga veprat e tij më të mëdhaja është “Windows and Stones” (1966), ku përshkruan udhëtimet e tij nëpër Evropë dhe kontinentin e zi, si edhe “Baltics” (1974), atlasi poetik i temave të tij të preferuara balltike.
Kritika ka theksuar se “sjell në fjordet suedeze diellin”. Dhe më tej: “Poezia e tij nuk merakoset shumë të japë përgjigje. Por hap shtigje plot dritë drejt botës, duke të ftuar drejt kërkimit dhe shpjegimit të mistikes”.
***
Shiko pemën e murrmë. Qielli ka pikuar
në tokë, mes indeve të tij -
veç një re e strukur mbeti, kur toka ndaloi të pijë.
Erëra të vjedhura përsillen tek rrjeta e rrënjëve
dhe shndërrohen në blerim. Çaste të shkurtëra lirie
çlirohen prej nesh,
depërtojnë rrufeshëm nëpër gjak të dejeve dhe vazhdojnë…
(Nga vjersha “Konstruktimi”)
Tomas Transtromer i ka përshkruar vjershat e veta si “vendtakime”, ku errësira dhe drita, bota e brendshme dhe mjedisi i jashtëm bashkohen, për të na dhënë kontaktin e çastit me botën, historinë, por edhe me vetë qenien tonë.
Udhëtimet surealiste të poetit në botën e brendshme të njeriut dhe lidhja e ngushtë që ruajti gjithmonë, sado udhëtoi nëpër botë, me veçanësinë e ambjentit suedez janë përkthyer në mbi 50 gjuhë.
Poezia e Tomas Transtromerit ka udhëtuar shumë më tepër se vetë krijuesi i saj. Herë pas here, Transtromeri është akuzuar, madje edhe prej kolegëve të tij, se nuk ndoqi traditën: nuk përfshiu tema politike në përmbledhjet poetike dhe romanet e veta. Veçse askush nuk ia mohoi risinë, që e bëri poetin më të madh bashkëkohor të Suedisë dhe mbase të të gjithë botës nordike: vepra e tij përmban dhe zhvillon më tej modernizmin dhe gjuhën ekspresioniste dhe superrealiste të poezisë së shek. 20-të. Ikonet e tij të thjeshta, në pamje të parë, nga jeta e përditshme dhe natyra e gjallë, përmbajnë në vetvete diçka shumë më të thellë, zbulojnë një kënd mistik ndjesish, që rregullojnë tik-takun e trurit njerëzor.
***
“Në mes të jetës ndodh që vdekja vjen dhe i merr masat njeriut.
Vizita harrohet dhe jeta vazhdon.
Por kostumi është qepur, qetësisht…”.
Të kthehemi tek fillimi. Njoftimi i Akademisë Suedeze mbushi me krenari dhe entusiazëm patriotët e poetit. E fundmja herë që Suedia fitoi Nobelin e letrave (gjashtë herë ka ndodhur kjo në të shkuarën - fakt që të kujton proverbin tonë: “Po s’pe shtëpinë tënde, bie dhe të mbulon”) ishte më 1974-ën, kur e ndanë midis tyre Eivid Xhonson dhe Hari Martinson. Më 1909, autorja e librit “Udhëtimi fantastik i Nils Holgerson”, Selma Lagerlev, u bë i pari shkrimtar suedez, që u nderua me Nobelin.
Në periudhën “e ftohtë” para dhënies së Nobelit të sivjetshëm, siç ndodh gjithmonë, bënë rrethin e botës “lajmet më të mundshme” për të kurorëzuarin e radhës. Kandidatët më të afërm për Nobelin 2011 të letrave u konsideruan siriano-libanezi Adonis, si edhe “surpriza” e vitit, këngëtari amerikan i muzikës rrok, njëkohësisht dhe poet, Bob Dilan. Mandej të tjerë, të gjithë të famshëm, siç ishte japonezi Haruki Murakami, me fatin e Kadaresë sonë… Ah, meqë ra fjala, mungonte këtë vit kandidatura “gjithmonë prezente” e Ismail Kadaresë. Sajtet dhe burrimet e tjera internetike shqiptare, të lodhura tashmë me “kandidaturën e përhershme kombëtare”, shpikën kandidatin e ri: poetin disident shkodran Ndoc Rroku. Siriali vazhdon…
Çmimet që ka fituar
TOMAS TRANSTROMER:
Çmimi i Poezisë “Bonnier”
Çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë “Neustdadt”
Çmimi “Oevralids”
Çmimi “Petrarca-Preis” (Gjermani)
Çmimi “Kurora e Artë e Mbrëmjeve Poetike të Strugës”
Çmimi Suedez i Forumit Ndërkombëtar për Poezinë
Çmimi i veçantë “Lifetime”, prej koordinatorëve të “Griffin Trust for Excellence in Poetry” (2007)
Çmimi NOBEL i Letërsisë, 2011
Poetët që më frymëzuan…
“Ekzistuan nëpër vite shumë poetë, që më frymëzuan. Ndikohet krijuesi, sidomos kur është i ri. Në gjimnaz, mbaj mend, ishim një ekip, që interesohej për letërsinë dhe mjaft prej nesh, në të ardhmen, u bëmë shkrimtarë. Inkurajonim njeri-tjetrin të lexojë, por edhe të shkruajë poezi. Ç’lexonim atëhere? Surealistë francezë, Eliotin, Uollt Uitmanin dhe të tjerë. Në vitet 50-të, miku ynë grek, Mihalis Fioretos, na prezantoi poetët e mëdhenj grekë, Elitin dhe Ricosin. Mbaj mend se i përkthyem dhe i botuam në një periodik. Mandej, Celan dhe Rilke ishin gjithmonë shumë të rëndësishëm për mua. Kur shkruaj ndjehem si një instrument, herë i lumtur e herë i dëshpëruar. Poezia vjen e më gjen dhe ngul këmbë që të lindë nëpërmjet meje. Po, me të vërtetë, kështu ndjehem. Dhe realizimi i kësaj veprimtarie zgjat shumë kohë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një “dëshirë të çastit”. Një mikja ime e mirë, kur ishim të rinj, më kishte thënë se vjershat e mia ishin vërtetë të bukura, por nuk ishin “të vërteta”. Me këtë nënkuptonte, se ato nuk kishin sinqeritetin që ka, për shembull, një kalendar. Për mua, është e vërtetë, ajo çka mbetet kur çasti ka kaluar - vazhdimi, ikona e përgjithshme, bashkësia e të kundërtave”. TOMAS TRANSTROMER
(Shkëputur nga intervista tek “ELEFTEROTIPIA” e Athinës,
14.10.2005)
Poezi
TOMAS TRANSTROMER
Ekspres
Kafeja e zezë në trotuar,
me karriget dhe tryezat e përndritura si fluturza.
Të robëruarat dhe të dobishmet pikëza,
mbushur me të njëjtën forcë, që ka një “Po” dhe “Jo”.
Del nga kafetë e errësuara
dhe kundron diellin sypaepur krejt.
Në dritë të ditës, dobia e shkëlqyer e të zezës,
tek zymtësia e një klienti derdhur shpejt.
Ngjan me pikëzat e të zezës më të thellë,
që nganjëherë mbyllen në shpirt
dhe na japin shtytjen e dobishme: Shko!
Kujtim për të hapur sytë.
Imzot!
Disa herë Jeta më përplaset në sy mes errësirës.
Është një ndjenjë, sikur derdhet turma nëpër rrugët
e qorrta dhe të kujdesit, në udhë e sipër, për një thagmë,
ndërsa i padukshëm jam dhe shtatëngritur.
Ndërkohë që djali bie i dërmuar të prehet,
duke ia dëgjuar zemrës së vet çapërëndat.
Larg, tepër larg, gjersa të shkyçen rrezet
e agut, dhe e errëta portë të hapet.
Nuk jam zbrazësi, jam hapësirë
Kapërcimi i mureve është i mundimshëm, të sëmur,
por është i nevojshëm.
Bota është një. Muret ama…
Dhe muri është pjesë e vetvetes -
e di, s’e di, kështu është për të gjithë,
përveç fëmijëve të vegjël. Për ata nuk ka mure.
Qielli i kthjellët është hepuar mbi mur.
Ngjan me një urim në boshllëk
dhe boshllëku kthen fytyrën drejt nesh
duke përshpëritur:
“Nuk jam zbrazësi, jam hapësirë!”
Shqipëroi: Grigor Jovani
Nën trysni
Motra e fuqishme nga qielli i kaltër.
Jetojmë në nji vend ndërtimi, ku çdo gja dridhet,
ku thellsitë e oqeanit paprit hapen.
… Nji gumzhim n’guaskat e detit dhe nëpër telefona.
Mundesh me pa mrekulli, n’se hjedh shikimin përnjiherit n’nji anë.
Fushat e denduna me grun shkojn s’bashkut në nji lum t’verdhë.
Hijet e papërmbajtshme n’kokën teme duen me shku atje,
duen me u zvarrit n’grun e me u kthy n’diçka t’art.
Ma në fund Nata. N’misnat shkoj n’shtrat.
Errsina u shpall prej anijes.
N’uj’ je krejt i vetëm.
Trupi i errët i shoqnisë ecën përpara.
Çifti
… ata i fikin dritën dhe llampa e bardh kuqlon
nji moment dhe u tret si nji tablet
në nji got t’territ. Mandej nji kryengritje.
Muret e hotelit qëlluen përpjetë drejt errsinës s’parajsës.
Lvizjet e tyne u zbutën, dhe ata flejn.
Por mendimet e tyne sekrete nisin takimet
n’faqen e njom t’pikturës së nji nxansi.
Asht terr dhe heshtje. Megjithatë, qyteti asht ma afër
kët mbramje. Me pixheret e tyne t’hapuna. Shpiat kan’ ardh
nji turm njerzish me ftyrë t’hutueme.
Përktheu: Armend Hysenaj
Përgatiti: Grigor Jovani
Athinë, tetor 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

0 comments:
Post a Comment