Monday, August 29, 2011

Shënime udhëtimi - Pranverë 2011 - Epilog

Nga E. CANA



Epilog


1

Ketu mund t’i shikoje te gjitha, ato qe kishe pare tjeterkund, edhe ato qe as te kishin shkuar kurre nder mend. E para gje qe me terhoqi vemendjen ishte shitja e librave, per te cilat isha vecanerisht i interesuar. Librari ishin ngritur kudo, te reja, gjithe luks, shumica me ajer te kondicionuar qe te joshnin ato dite te nxehta te fundit te pranveres, me rafte deri ne tavan, plot e perplot me tituj interesante te te gjitha llojeve. Perkthime qe i kisha enderruar prej kohesh dhe autore vendas, shumicen e te cileve nuk i kisha degjuar dhe i shikoja me mosbesim. Ishte nje dyshim i pafajshem sepse pas ’90-tes te gjithe ishin pushtuar nga mania e shkrimit; botoheshin kujtime gjithfaresh qe gjithsesi mund te kishin ndonje vlere, botohej edhe letersi artistike, proze e poezi qe shpesh vetem letersi nuk ishte. I botonin me paret e tyre, me kursimet e tyre dhe kjo ishte nje nga enigmat e medha qe nuk ia gjeja dot anen. Nje i njohuri im ne Amerike ne prag te pensionit, kishte botuar kater libra me poezi. Shtypte nja 20 ekzemplare ne Tirane dhe na i jepte me autograf falas kur takoheshim ne kafene. E shoqja kishte vene kujen: me iku burri nga trute…
Ndoshta nga qe kishin qene gojembyllur, tani nuk i rezistonin dot joshjes per te folur, edhe pse thoshin budallalliqe (e urrej kete fjale te shemtuar, llek-llek, a s’mund t’ia mbyllnim deren e te perdornim ‘marrina’,’marrezira’?). Ndoshta kishte rrenje me te thella, qe atehere kur lahutaret kendonin te vetmuar vetem per vete pa i degjuar kush.
Kishte pastaj edhe librari kioskash kryesisht me botime te vjetra dhe me e papritura, libra te vjeter te te gjitha llojeve qe shiteshin trotuareve. E kisha pare edhe gjetiu por jo ne kete permase. Parmaku i ures se Lanes, kur hyn tek Blloku ishte i teri mbuluar nga librat, i shtronin ne mengjez dhe ne te errur, kur titujt nuk dalloheshin dot me, i mblidhnin. Mungonin vetem ne ditet me shi. Aty mund te gjeje perla. Por dhe cmimet ishin te kripura. Tek ish hotel Peza, ku librat i shtronin drejt e ne trotuar, gjeta ‘Antonimet e gjuhes shqipe’qe kushtonte 300 leke te reja.
- Ma jep 100 - i kerkova shitesit, nje mesoburre i parrojtur, qe me beri nje “jo’ te prere me dore.
- Kete liber ne gjithe Tiranen vetem une mund ta blej, - i thashe, vertet i bindur.
- Shiko hallin, - m’u pergjigj dhe kthehu krahet.
Kerkova kolanen ‘excipere’ botuar me rastin e 100 vjetorit te Çabejt, por s’e gjeta asgjekundi. Te medhenjte s’i le kush te myken rafteve. Atehere u ktheva tek librat e ‘rrugeve’ ku gjeta buletine albanologjike qe fatkeqesisht askush nuk kujtohet t’i ribotoje. Kur krahasova nje buletin te 1972-shit me te vitit 2000, ishte e pervajshme. Ajo fare studjuesish te shquar e te apasionuar, kultivuar e organizuar me perkushtim, ishte ne zhdukje te plote. ‘Albanologet e rinj’ me sollen ndermend vargun e Nolit : "I pari sa nje deve / (keta) s’bejne as per meze”.
Neper fakultete takova ca profesore me tituj, ish kolege te mi, qe s’do t’i kisha vene as roje tek porta. Kurse nje ish bashkestudent i shkelqyer qe me kujtonte Kuneshken, ishte vartes i thjeshte i nje kokorroci me floket zhgrryer ne xhel. Disa vajza te vitit te peste te fizikes speciale qe prisnin te hynin ne provim, pyetjes sime se ku mund te punesoheshin, iu pergjigjen me ngritje supesh. Universitetet kishin mbire kudo si kerpudhat pas shiut, nuk kishte qytet te mos kishte te pakten nje. Nje akademik, mik i familjes, me qerasi me raki ne zyren e vet. E nxirte shishen nga sirtari i skrivanise dhe mbushte ca gota te vogla prej karton : eshte moskat, mburrej, zgjedhur kokerr me kokerr!
Bleva nje liber per polifonine, autori qenkesh akademik, por me erdhi keq per parate e harxhuara. Reforma e qeverise projektuar t’i jepte impuls shkences, me c’kuptoja une, kishte me teper mundesi te shndrrohej ne rrase varri per vete shkencen.
Si ai kursi i famshem i plepave.


2

Kishte lokale te bukura, moderne, qe u kishin kushtuar nje zot e di, por dhe nga ata te rendomtit qe e nxirrnin perdite mallin ne trotuar. Ketu fillonte varferia. Kisha pare akoma hapur ne oren 11 te nates nje shitore te improvizuar kepucesh drejt e ne trotuar. Kujt valle mund t’i shkonte ndermend te blinte kepuce ne mes te nates, por shitesi stoik ende shpresonte se mund te nxirrte buken e perditshme. Sa per dyqanet ushqimore e te perimeve te trotuareve, mesnata ishte fare e zakonshme.
Mjerimi kishte hierarkine e vet. Ne Tirane, Durres, Fier, Vlore ishte i dhimbshem, sa here i gjendeshe prane, por ne Korce ishte i padurueshem. Ky qytet qe dikur ishte nje kenaqesi e vecante, tani dukej i rendomte. Ishte fillim qershori dhe ne oren 8 te mbremjes pothuaj nuk kishte me njerez rrugeve. Ne dimer, me thane, Korca mbyllej ne oren 5 pasdite. Ne sheshin para Turizmit ishte shkretetire. Vetem perballe Majestic, ne disa lokale kishte levizje. Ne hotel Regency ngjitur me Turizmin, ishim vetem dy kliente ate nate. Isha me nje shok qe kishte nje qen me vete tek dera e jashtme e hotelit, kur portieri na ftoi gjithe miresjellje te hynin brenda.
- Po qenin,- e pyetem,- ku ta leme?
- Me gjithe qen, bre, - dhe na udhehoqi ne sallen e kafenese.
Brenda gjetem gjithsej tre vete qe tymosnin ne nje tavoline. Morem vetem nga nje kafe, qeni hengri gjithe sheqerin qe teproi, lame bakshishin dhe kamarieri na percolli serish deri jashte.
Kisha banuar disa vite ketu, dhe kisha kujtime te bukura, me dhimbte qe e gjeja ashtu, gjysme te zbrazur, te lodhur, sikur mezi merrte fryme. Mungonte ajo gjalleri, bukuri, pasterti e dikurshme. Me 1993 e kisha lene nje qytet ne lulezim, por dicka kishte ndodhur, qe nuk e kuptoja. Shtepia e nje ish ekonomisteje, ku hyra, kishte vite pa u lyer, ne nje qoshe ishte akoma nje sobe llamarine e dikurshme. Por me pelqeu shume qe ishin ruajtur lagjet karakteristike. Shtepite e reja ishin ndertuar apo restauruar ne vendin e dikurshem, duke ruajtur shijen e vjeter. Rruget, shumica, ishin zhveshur nga kalldremi dhe shtruar me zhavorr. Do t’i bejne te reja, thoshin, po se kur, askush nuk e dinte.
Tregu fshatar, Pazari i famshem i Korces, ishte rrudhur. Te gjithe shisnin mall te blere ne Maqedoni, edhe ne treg, edhe ne dyqanet e lagjeve. Nuk kuptohej pse duhej te vinin deri ketu per te njejtin mall. I vetmi mall vendas qe vinte nga fshati ne ate periudhe ishte sallata dhe qepa e njome. Megjithese fusha e Korces dukej hapur qe ishte me e kultivuara ne vend. Te gjithe shisnin te njejtat produkte dhe kur u kaloje prane sa s’te kapnin per xhakete: ja, zotni, mall i mire ketu .., domate, domate te fresketa... ta pres njecke, do ta provosh?... Ndjeheshe sikur ishe ne xhirimin e atyre filmave te vjeter qe paraqesnin Shqiperine e paraluftes se dyte. Torturues ishin syte e grave qe shisnin. Flisnin pak, zakonisht te therrisnin vetem ‘zotni, zotni‘, dhe t’i ngulnin syte e deshperuar, ’bli dicka ketu’. Nuk guxova me t’i shikoja, nuk kisha force t’i perballoja ata sy, ecja me koken poshte duke pare kembet e mia.
M’u afrua nje femije rreth 10-12 vjec, ishte i bukur e i paster sa te vinte ta perkedhelje, me nje tufe qeskash plastike ne dore.
- Bli nje, - me tha.
- C’e dua?- u habita.
- Po bli nje, bli… - m’u lut.
Me shikonte drejt ne sy me nje ngulm te pazakonshem dhe instiktivisht futa doren ne xhep. Ai mori zemer : - Bli dy, tha, tre…
- Sa jane?
- 10 qindarka, xhaxhi…
I dhashe c’me kapi dora ne xhep, 100 apo 200 dhe ika me nxitim. Cfare mund te besh me 10 qindarka, sa qindarka do te coje ne mbremje ne shtepi ky femije qe duhej te ishte ne shkolle... Po nuk ika dot, erdhen tre-kater te tjere, midis tyre edhe nje grua e moshuar, edhe ata me qeska ne duar. Dukej vogelushi nuk e kishte mbajtur dot dhe u kish treguar per ate fat te papritur. Fat, c’ironi! U dhashe te gjitheve c’kisha monedha neper xhepa pa u marre gje, duke u shmangur syte, u shihja vetem duart. Dola nga tregu, por aty me priste edhe nje prove tjeter. Tek muri i nderteses se tregut lyer me gelqere te bardhe, nen nje reklame shkruar nga nje dore e pamesuar “kemi peshk te pjekur dhe fresket” dhe poshte saj “jemi ne shulet”, qendronte nje grua ne pamje intelektuale me tre sallata te fresketa ne dore. E mora per ndonje qe sapo kishte bere pazarin dhe ndoshta priste dike tjeter. Kur kalova prane saj foli me nje ze te dobet:
- Zotni, jane te fresketa… Atehere po te mundesha do te doja te vrapoja me sa fuqi te kisha sa me larg ketij pazari ku mund te bleje vetem dhimbje. Por vetem u hoqa zvarre deri tek makina. Te ikim,-thashe, ndersa ne dore shtrengoja akoma qesken 10 qindarkeshe te vogelushit.

Pogradeci ishte ngushellues. Zona e plazhit buze liqenit jo vetem ishte ruajtur, por permiresuar e zbukuruar ndjeshem. Nje brez i gjere rere te paster, pastaj nje lulishte e madhe e bukur dhe e mirembajtur gjithe gjelberim, peme, lule, me tej shetitorja me pllaka guri dekorativ dhe pas saj shtepi, dy-tre katshe, te vjetrat dhe te reja te lyera bukur. Disa lokale te rralle, te kendshem, njeri po zgjatej ne ujin e liqenit. Ne lulishte vepra arti, disa figura me veshje popullore dhe me tej ne nje shesh rrethor perballe njeri tjetrit, permendoret e Kutelit dhe Lasgushit. Kuteli i bute, si perhumbur, Lasgushit sikur i frynte era e liqenit ne dimer, me shall, me republike ne koke, me nje fytyre ku ishte plazmuar me shume mjeshteri nje zemerim i frikshem, gati-gati nje hakerrim…
- Me pelqen Pogradeci, i thashe mikut vendas me entusiazem, jo si Korca…
- Kur te shikosh edhe qytetin brenda do te mendosh ndryshe, ma priti ftohte. Njesoj si Korca eshte, s’ka pune, s’ka pare, turizmi ketu zgjat vetem nje muaj e gjysem, nuk rrohet vetem me te. Shtepite e reja qe shikon ne fushen nga qafa e Plloces jane te gjitha bosh.
Nuk doja ta besoja, por kur pashe rruges se kthimit, germadhat e Gurit te Kuq dhe pastaj pergjate rruges buze liqenit djem te rinj qe mbanin neper duar qeska me cironka dhe i tundnin sa here kalonte ndonje makine, me pushtoi prape pikellimi i Pazarit te Korces.


3

Ditet para zgjedhjeve, Tirana ishte uzurpuar nga dy fytyra. Te dy buzeqeshnin, Rama si protagonist ne nje kompozim njerezish, Basha i vetem. Kaq shume buzeqeshje konsumohet ne zgjedhje, aq sa qe s’ngelet me gje per me pas. Ne sloganet “aleance’ ishte fjala kyc per te dy palet, qe bashke me portretet, i gjeje kudo, shperndare ne menyre te barabarte dhe ne vende publike te caktuara mesa duket qe me pare. Jo si heret e tjera ku te mundeshin e kush te vinte me shume, as grafite neper mure, as fyerje per kundershtarin. Besoje se do ishin zgjedhje te qeta, te kulturuara.
Dukej qete e megjithate neper bisedat e njerezve ndjehej nje frike qe vidhej si hije mes fjaleve te zakonshme. Ditet e mbetura pakesoheshin dhe frika shtohej vazhdimisht, tashme guxonte te dilte edhe hapur kur pihej nje kafe menjane, po sidomos mbremjeve kur ndiqje lajmet. Sa me te qeshur dukeshin ata ne ekran, aq me pak u besohej, aq me teper rritej dyshimi se ata dicka fshihnin me kembengulje per diten e fundit. Dikur frika doli nga poshte dyerve te apartamenteve si uji i nje cezme harruar hapur, zbriti shkalleve dhe u derdh rrugeve, autobuzave urbane, lulishteve me pensioniste, furrave te bukes, lokaleve te qendres dhe u ndal ne pragjet e zyrave te shtetit. Atje nuk mund te hynte. Tashme ishte kthyer ne nje ankth. Askush nuk besonte me per zgjedhje te qeta. Keta jane te marre, mendoja, eshte forca e zakonit qe i ben te dyshojne. Nje dite edhe ne do te benim zgjedhje normale si gjithe kontinenti, pse te mos ishte kete rradhe. Mos u mashtro nga Tv, me tha nje nate motra, qe i kishte ikur gjumi, fol me miqte e tu…
Se c’mendonin ata te PD-se nuk e mora dot vesh; nje miku im i asaj ane, qe i dinte gjerat mire, ishte vazhdimisht i zene, nuk gjente dot kohe as per nje kafe. Tek PS-ja, tek ata te brendshmit, ishte nje frike se kundershtari dicka kishte pregatitur per te rrembyer zgjedhjet, po ata nuk po e perfytyronin dot. Per LSI-ne flitej se do derdhte pare’ te madhe. Ne nje qender elektorale te LSI-se aty prane ku banoja, kishte gjithmone te rinj qe rrinin deri vone para saj por pa bere asgje. Sikur donin te jepnin pershtypjen e ‘forces se madhe’. Nje ish-koleg ne Fier me ankohej se u kishin ulur rrogen, per te krijuar nje fond me qellim te punesonin perkrahes te LSI-se. Ndersa nje miku im i Ballit, qe ishte ne fushate, por qe rrinte me mua gjithe diten sa here shkoja atje, me thoshte se ne qytetin e tij, sido qe te venin zgjedhjet, kandidati i djathte do dilte ’i fituar’. Sipas neoballistit, ai e dinte qe nuk fitonte dot dhe gjithe ndihmat qe i jepeshin per zgjedhjet i fuste ne xhepin e vet. Hallall, i thashe, kete lloj bisnezi s’e kisha imagjinuar ndonjehere.
Ne Tirane dita e zgjedhjeve ishte fare e qete. Harxhova nja dy ore te mira me nje kusheriren time, qe ishte martuar ne Prishtine para dhjete vjetesh por qe donte te votonte ne Tirane patjeter. Shkuam ne tre-kater qendra votimi, hynte brenda, vonohej ca atje dhe kur dilte thoshte gjithnje: Nuk e kisha emrin as ketu. Me ne fund votoi. Per ke?- e pyeta. Paret dhe vota nuk tregohen, tha. Edhe mekatet, shtova, por ajo dukej aq e lumtur dhe s’ia vari verejtjes sime.
Pastaj ne ditet e numerimeve nuk ndaheshe dot nga televizori, te dije kush kish fituar ishte nje ethe qe nuk i shpetoje dot. Nuk kisha menduar se Rama mund te fitonte per here te katert, por kur pashe diferencen e madhe ne qytetet e medha, sidomos Durresin, s’kisha me dyshim se ai do te fitonte. Nuk mund te mbetej Tirana pas qyteteve te medha, nuk mund te sillej si nje komune e humbur nga ato qe gjashte muaj pregatisin zahirene e dimrit e gjashte muaj te tjere e hane. As Nazarko ne Tv nuk e diskutonte, Zaloshnja e kishte provuar matematikisht fitoren e Rames, Cili, qe sic flitej, dikur ne Prrenjas paskish qene Naim, por u be Henry sapo erdhi ne Tirane, mbrohej sa mundej por dukej i humbur, megjithe sofizmat qe i shkonin per mrekulli me buzet e holla. Megjithate 'daja', taksisti i bllokut, qe banonte ne katin e pare ishte vazhdimisht i frikesuar. E ke te fitume, i thoshja sa here shikoheshim por ai gjithmone pergjigjej: S’i njef ti keta…
Kur Ristani filloi te numeroje edhe votat e pavlefshme qe tani i quante ‘ne kuti te gabuar’, ethja dhe frika arriten apogjeun. Pashe njerez te hakerruar, qe po t’i therriste Rama, do kishin mbushur rruget dhe asgje s’do mund t’i ndalte. Atehere e ndjeva friken realisht. Me thoshin se Gjinushi qe kur filloi rinumerimi, i kishte thene Rames se procesi ligjor elektoral ishte shkaterruar, ishte i humbur dhe duhej ta kthente ne proces politik. Rama nuk kishte pranuar, atehere ky i kish derguar nje sms: ti s’ke bythe... Disa kishin akoma shprese tek nderkombetaret, amerikani e kishte ndjekur vete numerimin, kishte qene i pranishem ne salle, bile kishte perveshur edhe menget. Pyeta dike i cili kishte akses ne qarqet e larta, qe ma preu shkurt: Amerikani eshte intelektualisht nje medioker, ai i OSBE-se, nje trap me gjithe lecka.
Shkova para KQZ diten e pare kur u be demonstrata, por isha vone. Perleshja sapo kishte mbaruar. Perleshje, qe sic me treguan, duhej marre si nje eufemizem. Atje kishte me teper police se sa njerez. Dy-tre rradhe te shtrenguara rrotull parmakeve te lulishtes se vogel pas Pallatit te Kongreseve, por fytyra pa nerv sikur te mendonin : c’na gjeti belaja neve… Kurse brenda parmakeve tek hyrja e KQZ, gardistet me qendrime impozante, te vranet ne fytyre, forca e vertete e pushtetit, ata sikur thoshin: Nuk hyn kush i gjalle ne kete dere. Isha i sigurte se ata nuk mendonin, ata vetem bindeshin dhe zbatonin. Cdo pushtet e kishte pasur nje garde qe nga kohet e Hanibalit, nga ato qe prijesin as te vdekur nuk e dorezojne.
Perballe, popull gjithfaresh, ne sheshin e ngushte midis Stadiumit dhe Pallatit te Kongreseve. Ishte thene se kishin ardhur pese autobuza me militante nga Lushnja... aha, nga Lushnja, aty kishte vetem kryeqytetas. Rrinin grupe-grupe dhe s’dinin c’te benin.
Muci Nano rrinte i vetmuar, me dha doren kur i kalova prane. C’ne ky, pyeta, ku me njeh? Ka kujtuar se je ti qe e njeh, me thane. Xhuvani, aktorja ishte edhe ajo, me nje pikellim engjellor ne fytyren qe s’kishte asnje shenje te moshes. Dikush aty, mesa duket me mori per dike tjeter, kur me erdhi prane, me pshperiti dicka ne konfindence. Kameramanet rrinin tek shkallet e stadiumit nen diell po askush nuk filmonte. Motra, qe tani bente edhe rolin e nenes, me mori ne telefon, mos rri aty, tha, eja ne shtepi. Mire, nuk me gjen gje…
Ne te vertete me vinte keq qe s’kisha qene ne ate miniperleshje. Me ishte ngritur nje mllef qe s’dija si ta nxirrja dhe kisha kohe pa u rrahur. Nga kjo race jam edhe une, mendova, dhe shkova tek Kolonat per nje kafe. Qe aty, ulur, duke pare turmen kuptoje se ishte nje hutim i pergjithshem. Vetem pak me tej, ne zyrat e kryeministrise, e dinin me siguri si do te perfundonte edhe kjo histori zgjedhjesh. E kishin ditur gjithmone.

Diten qe u bllokuan rruget me duhej te shkoja ne Vlore. Kishim degjuar dicka dhe u nisem heret. Ne Kavaje arritem te kalojme, por ne Fier ura ishte bllokuar. U kthyem mbrapsht ne Lushnje per te kaluar nga Berati dhe u penduam keq sepse rruga ishte sikur te qe bombarduar pa meshire. Tek Ura e Mifolit u bllokuam perfundimisht per tre ore. Vargu i makinave ishte i pafund, por cuditerisht njerezit te qete prisnin me durim. Asnje shenje revolte, asnje incident sikur te kishin votuar per ate bllokim rrugesh. Ne ure ishin bllokuar edhe dy furgona me police, te cilet rrinin brenda me fytyra te merzitura e te lodhura. Ne krye te ures kryebashkiaku Vlores me nja njezet perkrahes, bisedonte i ngeshem me nje oficer policie, disa kameramane filmonin me pertaci 3-4 goma makinash qe iu kishin vene flaken. Kur do lirohet? - pyetej vazhdimisht, askush nuk dinte gje. Dikush tentoi te kalonte nga ura e vjeter, por edhe ajo u bllokua shpejt, per habi nga nje makine policie. Me ne fund kur gomat u dogjen plotesisht, rruga u hap. Njerezit brohoriten dhe shoferet leshonin batuta gazmore kur shkembeheshin ne ure me makinat qe shkonin ne drejtim te kundert. Dukej si nje piknik, se ku ishin ata te pales tjeter aty s’e kuptova dot. Furgonat e policeve ndaluan ne lokalin me te pare, per ndonje kafe apo per te urinuar, kush dreqin e mori vesh. Shkuam ne Vlore neper gjysme autostraden e re qe ishte ndertuar ne kohe rekord gjate diteve te fushates.


4

Tirana ishte e bukur. Kishte akoma pluhur, ndertohej akoma, shpesh ishte ndertuar keq, bile edhe shemtuar, kishte proliferuar ne te katert horizontet me egersine e atij qe rritet, si nje adoleshent qe rrobat s’i rrijne kurre mire pas trupit, ishte e turbullt akoma edhe ne zemren e saj, atje ku Skenderbeu kishte mbetur i vetem, si pas nje beteje te humbur nga ato te librit te Schmitt-it. Por gjithe qytetet e botes keshtu jane, ose keshtu ishin kur ndertoheshin. Ndoshta vetem Brazilia mund te perjashtohej, qe megjithate s’ishte bere kurre Rio de Janeiro. Edhe ne Quebec City mund te gjeje per te kritikuar.
Mund te ishte ndertuar shume me mire, pa asnje dyshim, por as vrulli i individeve nuk mund te ndalej, as shteti s’kishte qene kurre aq i forte sa te mbante rregullin. Per fat te keq zabitet e zyrave te ketij shteti ishin leshuar bashke me ushtrine e akinxhijve per te bere placke. Shteti nuk ndertohet me mitingje, as me kundermitingje. Raca e idealisteve ashtu si dhe ajo e burrave te shtetit dukej e shuar, kishin mbetur vetem kritiket. Puritanet shikonin vetem zi, por ne kete bote reale e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shemtuara kane fjetur gjithmone ne nje shtrat.
E megjithate, pertej kritikave, Tirana ishte e bukur. Te gjitha arteriet kryesore, ne vecanti zona qe pershkonte Lana. Ishte bere shume e madhe per ta pare te gjithen, nuk di te them shume per periferine, por ajo qe kish qene Tirana e dikurshme dhe qe mund ta krahasoja me kujtimet e mia, ishte shndrruar ne nje vend te kendshem, ku mund te jetoja me deshire. Dhe me gjithe ndertimet qe vazhdonin akoma, ishte qytet i paster. Asnje tjeter ne Shqiperi nuk ishte aq i paster sa ajo. Kishte zona banimi qe ishin sistemuar perfundimisht, edhe bukur, edhe paster edhe me te gjitha cka nevoje nje qytetar. Pashe nje te tille diku pas stadiumit Dinamo, kur ngjitesh nga kodrat, majtas. Ketu mund te shihej e ardhmja e Tiranes. Mbas dhjete vjetesh mund te ishte e tera keshtu. Deri atehere do te ishin rritur edhe pemet, sidomos ajo specie e bukur e rrepeve shtatlarte mbjelle kudo dhe atehere rruget do t’u shembellenin lumejve te blerte kryq e terthor qytetit…
Kishte marre hijen e metropolit, e ndjeje peshen e rende te qytetit te madh modern. Bisneset, kryesisht pergjate autostrades se Durresit, ishin modernizuar dhe kishte prej tyre qe edhe nga ambjentet asgje nuk i dallonte nga ato te kontinentit. Koha e zanatcinjve ishte ne perendim e siper. Vetem nderim mund te kishje per keta njerez, qe kishin realizuar aq shume ne aq pak kohe. Etapes se ndertimit te banesave po iu vinte fundi dhe te ardhurat pasketaj do te derdheshin ne bisneset, te medha apo te vogla dhe atehere koha do te ecte me shpejt.
Ajo qe me pelqeu me shume ne Tirane ishin njerezit, sidomos rinia. Nuk e prisja te ishin aq te bukur. Kur me 1992, Ilario qe vinte nga Brindisi per here te pare me kishte thene ‘qenkeni race e bukur’, e kisha marre per nje kompliment dashamires, nje menyre ngushellimi per gjendjen qe ishim.Tani e shikoja vete dhe s’u besoja syve: kur u bene kaq te bukur? Femra ishte shndrruar teresisht, nje objekt qe nuk ia hiqje dot syte dhe te jepte nje kenaqesi te vertete estetike.
Te ecje ne rruget e Tiranes dhe ne cdo hap te ndeshje ne bukuri njerezore, ishte kenaqesi e vecante. Mbase me teper se cdo gje tjeter kjo e bente Tiranen te dukej aq e bukur. Te uleshe jashte ne trotuar ne ndonje nga lokalet e ish bllokut, ishte si te merrje pjese ne donje parade bukurie. Te kalonin prane, takat qe kercisnin, feshferitja e fustaneve, fytyra te bukura e te embla, nje feminitet joshes, zera te ngrohte dhe ndjeheshe peng i nje bote befasuese qe nuk e kishe besuar se ekzistonte me pare. Te vinte keq qe kishe humbur kaq vite larg. Nuk kisha pare askund s’i ketu, ndoshta vetem ne Budapest, por atehere ishte shume shpejt, kjo race e bukur s’kishte shperthyer ende dhe krahasimi mund te ishte i manget.
Pamje te bukur njerezore e gjeta edhe ne Durres, cuditerisht edhe ne Vlore; Fieri m’u duk shume maskilist, Korca e dikurshme s’ishte me ajo, ne Elbasan kalimthi, po s’dukej te kishte ndryshuar dhe aq shume. Edhe Prishtina kishte nje rini te bukur, ndonse pa shkelqimin e Tiranes. Ulqinaket ishin te kendshme, si te sperkatuara me nje tis naiviteti. Tek meshkujt gjakovare dhe pejane, fytyra shume burrerore, sy qe veshtire t’i perballoje.
Para se te nisesha kishte qe ma mburrnin Tiranen, kishte qe e shanin. Secili ka syte e tij, Wilde thoshte se “e bukura eshte ne syte qe e shikojne”. Ndoshta eshte dashuria qe m’i zbukuron, por c’mund te ndertojme pa dashuri …

5

Gjithmone ka nje fund, nje ndarje, si nje vdekje e vogel. Paradite kisha pare Kadarene tek Juvenilia. I heshtur me shikimin humbur diku mbi kokat e njerezve. Pastaj i ishte ngjitur ngadale pyllit te kodrave te Saukut. Peshperitej se po shkruante pjesen e dyte te “Mosmarreveshjes’.
Zgjedhjet ishin bere dhe vjedhur. Njerezit i trembeshin nje autokracie te re. Ajo ishte aty prej kohesh, por ata do ta besonin vetem kur te trokiste ne porten e tyre. Keshtu ka qene gjithmone, e kemi kujtesen te shkurter. Pasdite nje vajze e vogel qe shiste bajame te pjekura nuk pranoi t’i lija dicka me teper. Ne mbremje ra dhe shiu i fundit ne Tirane. Neser kur te kete lindur dielli mbi Dajt do te jem diku mbi rrafshinat e Europes. Europa, motra e Kadmit, thua e kujton te vellane ballkanas?
Me ka pushtuar nje ankth si ne ikjen e fundit. Atehere nuk e dija ku shkoja, askush nuk me priste. Tani kam nje shtepi atje, e megjithate eshte i njejti ankth qe te nguros fjalet. Ndarja kuis pas dere. Lotet e ngrohte te motres, dashuri, qe ka peshen e dhimbjes. Ne mos ardhsha dot me, do vijne te me marrin.
Atij qe iken, i duket se ka lene gjithcka aty, atij qe mbetet i duket se gjithcka ka ikur andej. Por e verteta eshte diku midis, gjithkush dicka merr e dicka le. Me ka marre malli pa ikur akoma, me duket se jam pezull mbi oqean, nje kembe ketu, nje atje. Jam duke shkuar ne shtepi apo duke ikur prej saj?


Fund
Pranvere 2011

0 comments:

Google